1451 – Në Ederne, Sulltan Mehmeti II trashëgon fronin e Perandorisë Osmane; ati i tij, Sulltan Murati, kishte vdekur, disa thonë, nga lodhja, stresi, marazi pas humbjeve ndaj Dominus Albaniae, Zot i Shqipërisë, një ish-gjeneral osman, të cilit vetë Murati i kishte dhënë titullin Skenderbeg. Hapi i parë i Mehmetit, tani në krye të perandorisë, ishte përgatitja e fushatës kundër Skënderbeut; pranvera e përshtatshme për luftë, po afrohej; lufta do të zgjaste edhe 17 vjet (deri në vdekjen e Skënderbeut më 1468), për inerci 10 vjet të tjera, derisa qëndresa shqiptare të thyhej.
1637 – Provincat e Bashkuara (sot Holanda) çlirohen nga Tulip-mania ndërsa shitësit e tulipanëve humbasin kontratat për blerjen e tyre. Në kulmin e tulip-manisë, një lule tulipan ishte shitur me një çmim 10 herë mbi të ardhurat vjetore të një personi me punë të kualifikuar. Kjo është konsideruar përgjithësisht si flluska e parë e regjistruar spekulative (ose flluska ekonomike). Termi “mania tulipan” tani përdoret shpesh si metaforë për t’iu referuar çdo flluske ekonomike (kur çmimi tepër i lartë nuk përputhet me vlerën e mallit). Futja e tulipanit në Evropë i atribuohet ambasadorit të Perandorisë Romake në Stamboll, i cili dërgoi disa fara tulipanësh në Vjenë në vitin 1554. Nga Vjena farat u përhapën në Amsterdam, ku kultivuesit vunë re se kjo lule ishte në gjendje të duronte klimën e ashpër të vendeve të ulta, dhe menjëherë pas kësaj tulipani u bë mjaft popullor. Shqipëria u pushtua nga një mani e ngjashme në vitet 1970-80, TV-Mania, kur një aparat televizori shitej me çmim sa paga vjetore e një punëtori.
1690 – Kolonia Masaçusets emeton paratë e para letër në Amerikë.
1783 – Spanja njeh pavarësinë e Shteteve të Bashkuara.
1815 – Në Zvicër themelohet fabrika e parë për prodhimin e djathit për qëllim komercial.
1830 – Protokolli i Londrës konfirmon sovranitetin e Greqisë.
1870 – Ratifikohet Amendamenti (shtojca) i 15-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duke garantuar të drejtën e votës për qytetarët pavarësisht nga raca. Në të njëjtën date por më 1913, ratifikohet amendamenti i 16-të i Kushtetutës, që autorizon qeverinë federale për të vendosur dhe mbledhur një taksë mbi të ardhurat.
1917 – Lufta e Parë Botërore: Shtetet e Bashkuara ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë një ditë pasi kjo e fundit njoftoi një politikë të re për luftë të pakufizuar me nëndetëse.
1924 – Vdiq Woodrow Wilson, ish-president i SHBA-së 1913 – 1921. Për Wilsonin është folur; shqiptarët e kanë cilësuar atë si mikun e tyre më të madh, ndërsa amerikanët si një nga presidentët më të mirë.
Thonë se Wilsoni ishte edukator prandaj u bë edhe politikan. Kjo duket nga rruga që ndoqi për në Shtëpinë e Bardhë. Emrin e kishte Thomas Woodrow Wilson, lindi më 28 dhjetor 1856 në qytetin e vogël jugor Staunton, Virginia, në fëmijëri e rini e thërrisnin Tommy. I ati ishte prift presbiterian, puna ia kërkonte të lëvizte kudo nëpër Amerikë, veçanërisht në jug. Kujtimet më të hershme të Wilsonit (9 vjeç) ishin ato të Luftës Civile; ai pa ushtarët e Bashkimit duke marshuar në qytetin e mundur Augusta, Xhorxhia; nënën e tij duke ndihmuar ushtarët e plagosur në spital; komandantin e përgjithshëm të forcave të jugut Robert E. Lee kur kaloi nëpër qytet nën rojet e Bashkimit pas dorëzimit në Appomattox. Tommy gjithashtu pa varfërinë dhe shkatërrimin e jugut gjatë viteve të para të Rindërtimit. Edhe pse i shqetësuar nga shikimi i dobët dhe dysleksia që vonon të mësuarit për të lexuar, Wilson ishte një djalë normal dhe nuk humbi aspak kohë. Në vitin 1873, Tommy 17 vjeç regjistrohet në Kolegjin Davidson në Charlotte, Karolina e veriut. Pastaj hyri në fakultetin juridik të Universitetit të Virxhinias, avokatura nuk i pëlqeu, e la, shkon në Universitetin Johns Hopkins, Baltimore dhe merr Ph.D. në shkencat historike e politike. Në moshën 28 vjeç, Wilson martohet me Ellen Louise Akson, 25 vjeç. Deri në vdekjen e saj në gusht 1914, ajo do të ushtrojë ndikim të fortë, duke e inkurajuar për të punuar për mirëqenien e të varfërve dhe për reforma politike dhe ekonomike. Wilson dëshironte të bëhej politikan, kishte ëndërruar të bëhej senator për të arritur presidencën. Më 1888 pranoi pozitën si professor i jurisprudencës dhe ekonomisë politike në Princeton, ku dha leksione për dymbëdhjetë vitet e ardhshme. Gjatë kësaj kohe, Thomas Wilson botoi nëntë libra, duke përfshirë një biografi të George Washington dhe një histori pesë vëllimesh të Shteteve të Bashkuara. Kur u emërua president i Universitetit Princeton bordi drejtues priste thjesht disa reforma. Por presidenti i parë jo klerik i kësaj shkolle, e transformoi institucionin e vjetër në universitet modern. Wilson bëri emër. Në vitet e fundit në Princeton, ai u kontaktua nga Partia Demokrate në lidhje me kandidimin për guvernator të Nju Xhersit në vitin 1910; Wilson ra dakord, thonë se ai nuk kishte nevojë për fushatë, të gjithë e njihnin, dhe fitoi. 2 vjet më vonë atë e priste Shtëpia e Bardhë.
1971 – Oficeri i policisë së Nju Jorkut, Frank Serpico, plagoset rëndë gjatë një operacioni kundër drogës në Brooklyn; ai mbijetoi për të dëshmuar më vonë kundër korrupsionit në polici. Shumë besojnë se incidenti tregon se oficerë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) u përpoqën të vrisnin kolegun e tyre, pasi ai kishte refuzuar ofertën për marrje ryshfeti. Filmi “Serpico” (1973), me aktorin Al Pacino në rolin kryesor, sjell variantin e kësaj ngjarjeje.