Bota “Sulm i madh hibrid ndaj Serbisë”, Vuçiç për shpërthimin në Kosovë: E...

“Sulm i madh hibrid ndaj Serbisë”, Vuçiç për shpërthimin në Kosovë: E dimë autorin, por nuk e tregojmë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me urgjencë zhvilloi një konferencë për shtyp. Fillimisht nxitoi që të rrëzonte akuzat e qeverisë së Kosovës se shteti i tij qëndron pas sulmit terrorist në Zubin Potok, ndërsa zbuloi se kishte ndjekur me shumë vëmendje çdo lëvizje apo deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe anëtarëve të kabinetit të tij, madje edhe të ndërkombëtarëve.

Vuçiç madje u përpoq që ta ndryshonte narrativën me pretendimin se “që nga e shtuna ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj Serbisë”.

Presidenti serb konfirmoi se shteti i tij po kryen hetime për sulmin terrorist në Zubin Potok.

“Prishtina pretendon se është bërë nga pjesëtarë të Brigadës së Veriut apo të mbrojtjes civile, prandaj Serbia është përgjegjës sepse dihet që i financon Beogradi. Askush nuk do të krijonte një strukturë të tillë. Ne si shtet serioz nuk jemi marrë me akuzat, nuk do të them se sulmi është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti, pasi hetimi do të tregojë. Kemi dyshime të caktuara, por hetimi do të konfirmojë se kush e ka dhënë urdhrin. Mendojmë se kemi informacione të caktuara dhe kush mund të jetë autori. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort, kur të jemi të sigurt se do ta njoftojmë publikun”, tha President i Serbisë.

Ai ofroi bashkëpunim me EULEX dhe KFOR-in, madje edhe me qeverinë e Kosovës për zbardhjen e rastit.

Në konferencën urgjente për shtyp që dha paraditen e sotme, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, pasi ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ka inskenuar shpërthimin ne kanalin Ibër-Lepenc, ka zbuluar edhe pesë arsyet që sipas tij e shtynë drejt kësaj ngjarje.

Vuçiç pretendon se janë pesë arsye të forta që qëndrojnë pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenicë, e që do t’i konvenonin Kurtit dhe qeverisë në Prishtinë.

Sipas tij, Kurti pas këtij akti donte të fuste ushtrinë në veri, ta shpallte Listën Serbe organizatë terroriste, do të përfitonte pikë në sondazhe para zgjedhjeve, do të dëmtonte rrugën europiane të Serbisë dhe do të vijonte shtypjen e serbëve në veri.

“Do të tregoj pesë arsye pse ndodhi. A e dini se çfarë ndodhi 9 minuta pasi gjoja u njoftua Kurti? Nuk ishte shumë surprizë për të.

1-Pas nëntë minutash, KFOR-it iu drejtua kërkesa për stacionimin e FSK-së në veri të Kosovës.

2-Të mërkurën ka bisedime në Bruksel. Dhe të gjithë e dinë se Serbia po përparon më shpejt. Kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme që Serbia të mos ishte pjesë e gjithë historisë me Berlinin dhe Parisin. Kjo është arsyeja pse ata donin të bënin të njëjtën skemë si një vit më parë, pasi të mërkurën do të merret një vendim nëse do të hapen kapitujt për ne apo jo. 

3-Deri në datën 12 mbyllen listat për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt. Është e nevojshme që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

4-Po flasim për përfitime zgjedhore personale, me pretendimin që ai të mbronte pavarësinë e Kosovës nga serbët e këqij.

5-Dhe e pesta është një përpjekje për të shtypur më tej komunitetin serb, duke bastisur shtëpitë dhe duke ua bërë jetën njerëzve ferr.”