Në Paris hapen sot Lojërat Olimpike, por që në fillim ato u gjetën nën hijen e sulmeve. Dyshohet për zjarrvënie, që ka shkaktuar probleme të shumta në hekurudha.
Në ditën e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Paris, në hekurudhat e atjeshme kanë ndodhur disa sulme të dyshuara me zjarrvënie në objektet teknike. Shërbimet sekrete dhe forcat e sigurisë në Francë janë mobilizuar “për të gjetur dhe dënuar autorët e këtyre akteve kriminale”, tha të premten kryeministri Gabriel Attal.
Sipas hekurudhave franceze SNCF, rreth 800.000 pasagjerë u prekën. Në fillim askush nuk mori përgjegjësinë për veprimet.
Askush nuk ka marrë përgjegjësinë
“Gjithçka tregon se këto janë veprime të qëllimshme,” tha ministri i Transportit Patrice Vergriete. “Provat tregojnë për zjarrvënie”. Pasagjerë të shumtë po prisnin në stacionet e trenit të Parisit për informacione nëse dhe kur mund të fillonin udhëtimin e tyre. Në stacionin e trenit Montparnasse, hekurudha është bllokuar.
Sipas hekurudhës, tre vende në rrugët TGV për në Lille në veri, Strasburg në lindje dhe Bordeaux në perëndim u prekën. Një tjetër akt i dyshuar sabotimi në rrugën për në Marsejë u parandalua. Në vendet e prekura, linjat me kabllo të shumta me fibra optike janë djegur.
Shefi i SNCF, Jean-Pierre Farandou foli për një “ditë të trishtuar”.
“Është një sulm ndaj udhëtimeve për pushime, ndaj francezëve”, tha ai, duke iu referuar fundjavës tre javë pas fillimit të pushimeve verore, kur pritej trafik i rënduar për pushime.
Mijëra punonjës të SNCF janë në detyrë për riparimin e dëmeve. “Sot duhej të ishte një festë e madhe, hapja e Lojërave Olimpike (…), të gjitha këto tani janë zhdukur,” shpjegoi ai. Por deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.
Franca ka angazhuar për ditën e hapjes së Lojërave Olimpike rreth 45.000 forca të sigurisë. Deri tani nuk është kapur askush nga sulmuesit e mundshëm dhe nuk dihet kush qëndron pas tyre.