Kryesore Sulmet në Arabinë Saudite: A do të rritet çmimi i naftës?

Sulmet në Arabinë Saudite: A do të rritet çmimi i naftës?

Aramco, kompania shtetërore e Arabisë Saudite, është prodhuesi më i madh i naftës në botë që gjeneron 10% të saj në shkallë globale. Por sulmi me bomba përmes dronëve në dy prej rafinerive të naftës në Arabinë Saudite, ka përgjysmuar furnizimin me naftë.

Fusha naftëmbajtëse Kuralis, e goditur nga sulmet me bomba, prodhon 1% të naftës botërore. Pyetja që shtrohet nga analistët dhe ekspertët është nëse ky sulm, që ka ulur përpunimin e naftës në dy rafineri kryesore të Arabisë Saudite, do të ndikojë në rritjen e çmimit të naftës në tregjet globale.

Të premten, një fuçi nafte e papërpunuar kushtoi 60 Dollarë. Analistët besojnë se pas kësaj ngjarje, një fuçi mund të arrijë deri në 80 Dollarë. Pothuajse 3/4 e naftës së kompanisë Aramco shkojnë në Azi. Të hënën fillon tregtimi i naftës në Azi dhe atëherë do të mund të shohim sinjalet e para se si ka ndikuar sulmi me bomba në tregjet botërore.

Eksperti Nick Butler shpjegon se ekziston mundësia që ndikimi në çmimin e naftës të jetë i drejtpërdrejtë nga sulmi me bomba në rafineri. Por ai thotë se nëse kjo ndodh, nuk do të vazhdojë për shumë kohë dhe ulja e çmimeve do të reflektohet brenda pak kohësh. Shqetësimi ka të bëjë me faktin nëse këto sulme do të shkaktojnë tensione më të mëdha në rajon, çka do të thotë se rritja e çmimeve do të jetë për një periudhë më të gjatë. Megjithatë, është herët për të thënë nëse konsumatorët do të hasin në shtrenjtimin e naftës në shkallë botërore.

Autoritetet saudite thanë se disa dronë bombarduan puset e naftës në fushën naftëmbajtëse Kuralis dhe impiantin më të madh të përpunimit të naftës në Abkaik, në lindje të vendit, duke lënë dhjetëra të plagosur. Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeon akuzoi Teheranin për sulmin. Por Irani mohoi përfshirjen në sulm, duke i quajtur akuzat “të verbëra e të pakuptimta”. Më herët, zëdhënësi i rebelëve Huthi, të përfshirë në konflikt me ushtrinë saudite në Jemen, mori përsipër sulmin.