Aktualitet Sulmet verbale ndaj gjyqtares së Berishës, Garda i shton truprojat Irena Gjokës

Sulmet verbale ndaj gjyqtares së Berishës, Garda i shton truprojat Irena Gjokës

Një kërkesë e SPAK për të larguar nga gjykimi i pasurive të Jamarbër Malltezit gjyqtaren e apelit Iliriana Olldashi u bë shkak që kjo seancë të shtyhet për të premten në orën 12.

SPAK konsideron se Olldashi ka konflikt interesi sepse ka blerë një apartament pranë Home Plan, shoqëri që i ka aksionet të bllokuara.

Kërkesa e SPAK po shqyrtohet nga një gjyqtare tjetër. Ndërkohë që Olldashi ka caktuar një axhendë po të premten mbi ankimimet e Berishës dhe Malltezit që kërkojnë shuarje të masave. Njëra seancë është në orën nëntë dhe tjetra në dhjetë.

Edhe në këto procese SPAK vlerëson se do kërkojë dorëheqjen nga gjykimi të Olldashit. Por ndërkohë SPAK nuk ka vendosur ende ndaj Berishës, i cili nuk u paraqit para oficeres për dy të hënat që e urdhëroi Irena Gjoka.

Pavarësisht se deklaroi vendosmëri për rekursin në të cilin kërkon kthim në burg të Jamabër Malltezit, SPAK nuk e ka dorëzuar ende çështjen në Gjykatën e Apelit.

Prokurorët e dosjes ‘Partizani’ i thanë TCH se veprat penale për të cilat dyshohet Malltezi kanë marzh të lartë dënimi dhe rreziku dhe ndaj kërkohet që ai të kthehet në paraburgim.

Ndërkohë, Garda e Republikës ka shtuar masat e sigurisë fizike për gjyqtaren antikorrupsion, zonjën Irena Gjoka, të cilës nga katër truproja i janë vendosur 6 edhe në banesë.

Lajmi konfirmohet për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, nga Garda, që shtoi se shtimi i sigurisë ndodhi mbas sulmeve verbal ndaj gjyqtares, pas vendimit të datës 20 tetor, ku vendosi detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe arrest me burg për Jamarbër Malltezin.

Garda i tha Top Channel se katër nga truprojat i ishin vendosur gjyqtares Gjoka për shkak të detyrës, që ajo mban si drejtuese e Gjykatës së Posaçme, ndërkohë që të tjerët është vlerësuar të shtohen pasi sulmeve të fundit ndaj saj./TCH