Arrin në 31 persona bilanci i viktimave pas një sulmi ajror në periferi të Bejrutit, ku mes tyre janë fëmijë dhe gra, ndërsa 68 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në një deklaratë grupi militant Hezbollah bëri të ditur se 16 nga viktimat janë anëtarë të grupit mes tyre edhe komandanti Ibrahim Aqil si dhe një tjetër udhëheqës i lartë Ahmed Wahbi. Për Aqil ishte vendosur një shpërblim prej 7 milionë Dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bombardimin e Ambasadës amerikane në Bejrut në prill 1983 ku humbën jetën 63 persona.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se sulmi kishte në shënjestër njësinë elitare Radëan të grupit të mbështetur nga Irani dhe vjen si kundërpërgjigje ndaj një breshëri raketash të lëshuara nga Hezbollah drejt veriut të Izraelit.
Në Dahieh, një periferi jugore e Bejrutit, misioni i kërkim-shpëtimit vazhdon. Disa familje janë zhvendosur në lagje më të sigurta. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha në një takim të këshillit të sigurisë se shpërthimet e pager-it dhe radiove të martën dhe të mërkurën e kësaj jave të cilat vranë 39 persona, kanë shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar.
Sulmi e përshkallëzoi ashpër konfliktin midis Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani dhe i shkaktoi një goditje tjetër Hezbollahut.