“Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta godet rëndë ambasadoren amerikane në një talk show televiziv”. Këtë titull ka përzgjedhur agjencia e lajmeve Associated Press për të pasqyruar deklaratat e presidentit Meta drejtuar ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
“Presidenti Ilir Meta përdori fjalë të ashpra për ambasadoren Juri Kim natën e të Premtes duke i bërë thirrje diplomates amerikane të reshtë së mbështeturi kryeministrin Edi Rama, i cili po dhunon zgjedhjet”, shkruan agjencia prestigjioze.
Associated Press shkruan se Meta u acarua shumë sidomos kur mori një mesazh nga ambasadorja Yuri Kim dhe bëri në drejtim të saj deklarata ekstreme. Meta la të kuptohej në një moment se ambasadorja Kim mund të ishte pjesë enjë fushate ndërkombëtare lobimi kundër tij të udhëhequr nga Serbia shkruhet në artikull.
Kjo agjenci citon edhe deklaratën e ambasadores amerikane e cila e quajti të papranueshme thirrjen e mëhershme të Metës për qytetarët që të marrin sfurqet nëse nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit.
Përplasja mes presidentit dhe ambasadores amerikane bëri jehonë edhe në media të tjera ndërkombëtare, si Washington Post.