Izraeli vendosi pajisje shpërthyese në mijëra radiot marrëse-dhënëse të Hezbollahut në mbarë Libanin. Kështu raportojnë Reuters dhe BBC duke cituar burime pranë hetimeve lidhur me rastin që tronditi botën.
Një burim pranë autoriteteve të Libanit i tha Reuters se pajisjet pager ishin futur në vend disa muaj përpara, ndërsa ka bindje të fortë se agjencia izraelite e spiunazhit, Mossad, ka vendosur një lëndë plasëse brenda tyre. Burimet e mediave amerikane dhe izraelite raportojnë se Mossadi shpërtheu pajisjet përpara se sa planifikonte, duke dyshuar se Hezbollahu kishte mësuar për planin.
Pager-ët i përkasin një kompanie nga Tajvani. Por kompania Gold Apollo mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje, duke pretenduar se pajisjet janë prodhuar nga një firmë në Hungari, me të cilën kishte firmosur një marrëveshje. Në sulmin që tronditi jo vetëm Libanin, por edhe botën, humbën jetën 9 persona, mes të cilëve dhe një fëmijë.
Mbi 2800 njerëz pësuan lëndime nga shpërthimet, me shumicën prej tyre që janë humbur gishtërinjtë.
Një ekspert i ka thënë BBC se pajisjet, me shumë gjasë, do të jenë ngarkuar me 20 gram eksploziv ushtarak. Një sinjal akustik pastaj shpërthimi: kështu anëtarët e Hezbollahut u sakatuan nga radiot marrëse-dhënëse. Edhe ambasadori iranian në Liban ka humbur shikimin.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah do të mbajë një fjalim nesër pasdite, ndërsa kërcënimi për një hakmarrje të fortë ndaj Izraelit është lëshuar disa orë pas sulmit. Irani e konsideroi atë që ndodhi një akt gjenocidi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar duke theksuar se nuk kanë qenë në dijeni apo informuar lidhur me sulmin. Associated Press shkruan se Tel Avivi e njoftoi Uashingtonin vetëm pas shpërthimeve.
Pse i përdor Hezbollahu pagerët?
Arsyeja pse milicia Hezbollah i përdor pager-ët në një shkallë të gjerë është e thjeshtë: ndryshe nga telefonat celularë apo telefonat inteligjentë, vendndodhja e pager-ëve nuk mund të përcaktohet. Sepse një pager i zakonshëm është thjesht marrës sinjali, i cili nuk është i regjistruar në ndonjë rrjet. Ndërkohë që nga ana tjetër aktivizimi i të gjithë pager-ëve në të njëjtën kohë në një zonë të një zonë të caktuar nuk është problem.
Që nga fillimi i luftës në Gazë udhëheqja e Hezbollahut u ka kërkuar anëtarëve të vet të mos i përdorin telefonat celularë, por pajisjet pager për ta bërë komunikimin më të sigurt. Tre punonjës që punojnë në organe sigurie i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se pagerët u përkisnin modeleve më të fundit dhe që Hezbollahu i kishte futur ato në përdorim muajt e fundit.