Situata në ambasadën amerikane në Bagdad ishte më e qetë të enjten pasi grupet paramilitare të mbështetur nga Irani u larguan nga zona.
Tërheqja solli mbylljen e një bllokimi dy-ditor që filloi me militantët dhe përkrahësit e tyre që sulmuan kompleksin e ambasadës, duke shkatërruar një zonë pritjeje, duke vënë zjarr dhe duke shkruar grafite ndërsa protestuan kundër sulmeve ajrore amerikane ndaj një grupi milicie të mbështetur nga Irani.
Këto sulme, të cilat u zhvilluan në Irak dhe Siri kundër Kataeb Hezbollah, erdhën si përgjigje ndaj vrasjes së një kontraktori amerikan në një sulm me raketa.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo akuzoi kreun e Kataeb Hezbollahut dhe të tjerët që ai i quajti “terroristë” për orkestrimin e sulmit të ambasadës në Bagdad.
Operacionet konsullore u pezulluan dhe Departamenti i Shtetit paralajmëroi qytetarët amerikanë të qëndrojnë larg vendit.
Përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Iranin Brian Hook i tha rrjetit CNN të mërkurën se “diplomatët tanë janë të sigurt dhe po ashtu është ambasada jonë.”
Sidoqoftë, Pentagoni është duke dërguar 750 trupa shtesë në Lindjen e Mesme në atë që Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper e quajti “një veprim të duhur dhe parandalues”.
Pompeo po shtyn një turne në pesë vende evropiane dhe të Azisë Qendrore që ishte planifikuar të fillonte të premten me një ndalesë në Ukrainë.