Për sulmin kibernetik ndaj faqeve online qeveritare ka reaguar edhe zyra e shtypit e Kryeministrisë, duke garantuar qytetarët se asnjë nga sistemet dhe shërbimet qeveritare nuk është prekur.
Përmes një deklarate për mediat, Kryeministria bën me dije se sulme të tilla me të cilat u përball Shqipëria ditën e premte, kanë ndodhur gjatë kohëve të fundit edhe në Gjermani, Ukrainë, Holandë, Belgjikë e Lituani.
“Mesditën e së premtes, nëpërmjet platformave të monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare, u vu re një sulm kibernetik kompleks dhe në shkallë të gjerë. Menjëherë, duke ndjekur protokollet e reagimit, u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave. Metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare. Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Vetëm në Ukrainë këtë vit ka pasur 5 sulme me të njëjtën metodologji, ndërsa në Gjermani i njëjti lloj sulmi ka nxjerrë jashtë funksioni impiantet e prodhimit të energjisë me erë. Këto metoda maskohen fillimisht me sulme të tipit Ransomware, me anë të të cilave keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike. Hapi i dytë i këtij sulmi të përqëndruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksioni”.
Reagimi ndaj sulmit kibernetik ka qenë i shpejtë, sqaron Kryeministria, me mbylljen përkohësisht të të gjitha shërbimeve qeveritare online, siç është e-Albania. Qeveria siguron se për shkak të reagimit të shpejtë, asnjë informacion nuk është kompromentuar dhe të dhënat qeveritare janë të paprekura dhe të sigurta.
“Fatmirësisht detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura. Që në momentet e para të evidentimit të këtij sulmi AKSHI është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë të Microsoft nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetikë të Detektimit dhe Përgjigjes ndaj Incidenteve (DART team). Gjithashtu ekspertët e “Jones Group International” janë këtu, për trajtimin e situatës dhe kthimin sa më shpejt në normalitet.
Sistemet qeveritare kanë të gjitha back-up dhe janë të sigurta. Në këtë moment jemi duke verifikuar sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurt në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë. Paralelisht të gjithë aktorët institucionalë janë në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm për hetim të thellë e të detajuar të këtij krimi kibernetik. Sigurojmë të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura”.
Kryeministria bën thirrje që kjo situatë të mos politizohet.
“Nuk ka vend për polemika politike aq kohë sa jemi përballë një armiku të përbashkët në këtë luftë kibernetike, ndaj të lëmë ekspertët të bëjnë punën e tyre në mënyrë që çdo sistem që rikthehet në punë të jetë funksional dhe mbi të gjitha i sigurt”.
Për shkak të sulmit kibernetik nga jashtë Shqipërisë ndaj shërbimeve qeveritare online të vendit tonë, AKSHI ka pezulluar portalin qeveritar e-Albania dhe të gjitha shërbimet e tjera dixhitale.