Në sulmin me armë zjarri që ndodhi brenda një shkolle në qytetin e Vantas, në Finlandë, ka mbetur e plagosur edhe një vajzë me origjinë shqiptare, nga Kosova.
Lajmi është konfirmuar për Ministrinë e Jashtme të Kosovës nga Ambasada e tyre në Stokholm, që ka pasur një komunikim me familjarët e nxënëses.
“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova. Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me familjen e vajzës së plagosur dhe ka ofruar ndihmën e saj sipas udhëzimeve të pranuara nga MPJD”, thuhet në komunikatë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e paradites së të martës. Një 12-vjeçar qëlloi me armë zjarri në një shkollë, vetëm pak kilometra larg nga veriu i Helsinkit dhe 1 fëmijë humbi jetën.
Mediat lokale theksojnë se në momentin e sulmit, në institucionin arsimor mund të kenë qenë të pranishëm 800 nxënës dhe 90 persona të tjerë që punojnë aty.