Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se lufta do të kthehet në Rusia pas një sulmi me dron në kryeqytetin rus, Moskë. Zelensky u shpreh se sulmet në territorin rus ishin një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë i luftës midis dy vendeve.
Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes tha se 3 dronë ukrainas ishin rrëzuar të dielën, ndërsa 2 ishin përplasur në zyra.
Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar pas sulmit me dron të së shtunës dhe kryetari i bashkisë së qytetit Sergei Sobyanin tha se fasadat e dy ndërtesave të zyrave ishin dëmtuar lehtë. Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë se në cep të godinave janë dëmtuar disa xhama, me mbeturina të shpërndara në tokë poshtë.
Një dëshmitare okulare, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se mund të shihte zjarr dhe tym.
“Ne dëgjuam një shpërthim dhe ishte si një valë, të gjithë u hodhën. Pastaj kishte shumë tym dhe nuk shihje asgjë. Nga lart mund të shihje zjarr.”
Fluturimet u pezulluan për pak kohë nga Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të qendrës së qytetit dhe avionët në hyrje u ridrejtuan në aeroporte të tjera.
Përmes një fjalimi të dielën, presidenti Zelensky u shpreh se Ukraina po forcohej.
“Sot është dita e 522-të e të ashtuquajturit “Operacion Special Ushtarak”, për të cilin udhëheqja ruse mendoi se do të zgjaste disa javë”, tha ai.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev tha se Moska do të duhej të përdorte një armë bërthamore nëse kundërofensiva e vazhdueshme e Kievit do rezultonte e suksesshme.
Medvedev, i cili është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë tha në mediat sociale se nuk do të kishte “zgjidhje tjetër” nëse Ukraina merr atë që ai e përshkroi si tokën e tyre.
Sa i përket luftës në Ukrainë, të nisur që prej Shkurtit të vitit të kaluar, presidenti Vladimir Putin në një konferencë të dhënë së fundmi për mediat tha se nuk e kundërshton idenë e bisedimeve të paqes për Ukrainën.
“Nuk mund ta ndalim luftën kur na sulmojnë. Kur e them këtë, njerëzit fillojnë të mendojnë. Ose të fillojmë bisedimet e paqes. Asnjëherë nuk i kemi refuzuar. E dini, unë gjithmonë them se nuk i kemi refuzuar kurrë bisedimet e paqes.”