Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjatë një konference për gazetarët tha se Gert Shehu, personi që goditi me grusht kreun e PD-së, Sali Berisha, gjatë protestës së sotme, nuk është agjent i Policisë Kriminale.
Ai shtoi se 31-vjeçari nuk është përdorur asnjëherë si i infiltruar apo si burim informacioni.
Sipas tij, dokumenti që vërteton gjendjen e shëndetit mendor të 31-vjeçarit është vënë në dispozicion nga vetë familjarët e tij.
Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, gjithçka është deklaruar sa i përket rekordeve të këtij individi, janë të evidentuara dhe lehtësisht të verifikueshme.
“Në lidhje me incidentin e ndodhur ndaj deputetit Sali Berisha, sigurisht incident i paprecedent dhe plotësisht i dënueshëm, Policia e Shtetit sapo u njoh me ngjarjen e shëmtuar, reagoi menjëherë duke ndaluar agresorin.
Edhe aktualisht po vazhdojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të përcaktuar dinamikën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje dhe motivet e saj.
Në lidhje me deklaratat e deputetit Berisha në konferencën për shtyp, gjatë së cilës pohoi se 31-vjeçari, Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale, dhe se është përdorur për të kryer akt dhune ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se:
Shtetasi Gert Shkëlqim Shehu, i vitlindjes 1991, nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i Policisë Kriminale nga asnjë strukture e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu ky shtetas nuk është përdorur asnjëherë nga shërbimet e Policisë së Shtetit si i infiltruar apo si burim informacioni.
Sqarojmë se dokumenti që vërteton gjendjen e shëndetit mendor të shtetasit Gert Shehu, është vënë në dispozicion të medias nga vetë familjarët e të riut.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje dhe përgënjeshtron këto deklarata, të cilat nuk ndihmojnë në zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Ndërkohë, sigurojmë deputetin Berisha, se Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë, është e angazhuar maksimalisht, në zbardhjen sa më parë dhe në mënyrë të plotë, të të gjitha rrethanave të ngjarjes”, deklaroi Rrumbullaku.