Partia Demokratike reagoi përmes një deklarate për shtyp për ngjarjen e rëndë që u shënua mëngjesin e së mërkurës në Lushnje, ku u plagos nga shpërthimi i një granate, kryebashkiaku Tushe dhe sekretarja e tij.
Sipas PD, të gjithë e dinë se ngjarja në Lushnje ndodhi për shkak të prishjes së pazareve mes Tushes dhe ish shoferit të tij, për të cilin demokratët thonë se ka qenë një trafikant droge dhe prostitucioni.
“Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Bashkinë e Lushnjës është pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama në çdo nivel, në qeverisjen qendrore dhe atë lokale. Të gjitha rrethanat tregojnë se goditja e kryebashkiakut të Lushnjës është prishje pazaresh mes tij dhe ish shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni. Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes. Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij”, deklaroi PD.
Për Partinë Demokratike ka vetëm një mënyrë për të dalë nga kjo krizë përfaqësimi. Këto janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë.