Makina e publicistit Fatos Lubonja është sulmuar disa ditë më parë, por ai nuk e ka denoncuar ngjarjen.
Ngjarja ka ndodhur më 1 korrik.
Sipas policisë së Tiranës, një person i ka thyer xhamin e parë me gurë automjetit të Lubonjës. Autori A. H është ndaluar nga policia dhe më pas është liruar.
Sipas policisë, agresori rezultoi se kishte probleme të shëndetit mendor dhe prej kohësh ka qenë problematik në zonën ku banon.
Edhe më herët nuk kanë munguar ngacmimet e tij ndaj Lubonjës.
Analisti nuk e ka denoncuar personin në polici as më parë.
Por për ngjarjen ka reaguar këtë të diel presidenti Ilir Meta, duke shkruar në rrjetet sociale: “Thonë që sot çunat problematikë kanë dalë nga furgoni për të “përshëndetur” makinën e një analisti kritik ndaj Bablokut. Qoftë fake neës për të diel, për të mirën e Kryeproblematikut!”.
Në vijim kryetari i PD-së, Lulzim Basha po në rrjetet sociale ka shkruar: “Dënoj me ashpërsi dhunën e drejtuar kundër intelektualit publik Fatos Lubonja. Kjo dhunë fizike vjen në klimën e dhunës psikologjike, gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve të Edi Ramës kundër zërave kritikë dhe medias jashtë kontrollit të tij. Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbështesim zërat e lirë si Fatos Lubonja ndaj ju ftoj të gjithë të solidarizohemi me të dhe çdo media dhe zë kritik”.