Komuniteti hebre në Gjermani akuzon policinë për neglizhencë, pas sulmit të armatosur në një sinagogë, ku u vranë dy persona. Kreu i këshillit qendror të hebrenjve tha se ishte skandaloze që policia nuk po e mbronte sinagogën në qytetin e Halle, në ditën më të shenjtë të këtij komuniteti.
“Yom Kippur është festa më rëndësishme për hebrenjtë. Edhe unë, po të isha agresor, këtë ditë do të zgjidhja për të sulmuar. Nëse policia do të ishte stacionuar jashtë sinagogës, atëherë ky njeri mund të ishte çarmatosur para se të sulmonte të tjerët”, tha Josef Schuster, President i Këshillit të Hebrenjve.
Agresori që është identifikuar thjesht si Stephan B, është arrestuar. Rreth 2200 persona i panë momentet para sulmit në një “livestream” të postuar nga autorit në plaformën “Twitch”.
Videoja, e cila më pas u hoq nga platforma, e tregonte atë teksa bënte komente anti-semitiste para se t’i drejtohej sinagogës e të hapte zjarr në dyert e saj.
Një prej viktimave ishte grua dhe u qëllua në rrugë, ndërsa tjetri në një dyqan aty pranë. Pati gjithashtu edhe dy të plagosur. Sulmi u dënua ashpër nga liderët europianë, përfshirë kancelaren Merkel. Kjo e fundit mori pjesë në homazhet e zhvilluara në nderim të viktimave, jashtë një sinagoge në Berlin.