Ministri britanik për Evropën, Stephen Doughty, ka reaguar për sulmin në Ibër-Lepenc, duke thënë se ky sulm kishte për qëllim ndërprerjen e jetëve në mbarë Kosovën.
Doughty, në një postim në rrjetin social ‘X’, ka shkruar se për këtë rast duhet të ketë një hetim të plotë dhe urgjent dhe se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Sulmi i tmerrshëm në ujësjellësin Ibër-Lepencit kishte për qëllim ndërprerjen e jetëve në mbarë Kosovën. Përpjekjet e suksesshme të punonjësve për të frenuar dëmet kanë rivendosur infrastrukturën jetike. Duhet të ketë një hetim të plotë urgjent. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Doughty.
Shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut ndodhi mbrëmjen e së premtes dhe dyshohet se është përdorur deri në 15 kg eksploziv për të dëmtuar këtë nyje të rëndësishme të infrastrukturës që furnizon me ujë të pijshëm Kosovën, por edhe mban në punë termocentralet e prodhimit të energjisë.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia, me kryeministrin Kurti që tha në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat se ai është kryer nga profesionistë.