Politika Sulmi terrorist në Banjskë, Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën...

Sulmi terrorist në Banjskë, Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e Kosovës

Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur plotësisht dhe njëzëri rezolutën e Kuvendit të Kosovës pas sulmit në Banjskë.

“Mbështesim plotësisht dhe njëzëri rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 Shtator 2023″, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit të  Shqipërisë.

Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës.

Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

PËMBAJTJA E REZOLUTËS SË TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS:

Kuvendi i Republikës së Kosovës:

1- DËNON me termat me të ashpër sulmin terrorist, i organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës, më 24 Shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdollojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2- VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurise (EULEX dhe KFOR) në aksionin e përbashkët për të zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3- OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës;

4- KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që ta vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën ndërmjet të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5- INKURAJON dhe mbështet pluralizmin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogari-dhënies para këtij komuniteti që jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6- KËRKON nga qeveria e Republikës së Koosvës që të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar shtetin e së drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;

7- KONSTATON nevojën për të hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.