Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në Kosovë, Milan Radoiçiç, është ndaluar për 48 orë nga autoritetet serbe.
Këtë e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
“Zyrtarët policorë dhe Policia e Krimeve ka bastisur në apartamentin e Milan Radoiçiç, i cili është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Vetë Radoiçiç kishte marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit me armë në Kosovë nga grupi terrorist.
Pas akuzave me prova nga Kosova, Radoiçiç dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të partisë Lista Serbe.
Para arrestimit, Radojiçiç kishte shkuar për të dëshmuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në cilësinë e dëshmitarit, në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Autoritetet nënvizojnë se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur një kallëzim penal ndaj Radojçiç. Por nuk saktësohet se çfarë akuzash rëndojnë ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe.