Një autobus me nxënës shkolle ka rënë pre e një sulmi me armë në fshatin Gllogjan në komunën e Deçanit në Kosovë.
Klan Kosova raporton se nga të shtënat me armë kanë mbetur të vdekur tre persona; dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Nxënësit që kanë humbur jetën janë të moshave 17 dhe 19 vjeç.
Disa persona të tjerë që udhëtonin me autobus kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital.
Shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë nuk dihen ende.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se rreth orës 19:00 policia është njoftuar se ka të shtëna drejt një autobusi në fshatin Glloxhan.
Sipas tij, në autobus kanë qenë 8 persona të cilët po udhëtonin nga Gjakova në Deçan dhe në fshatin Gllogjan, mirëpo një numër i nxënësve kanë ndaluar në fshatra të tjera.
Në vend të ngjarjes ka mbetur i vdekur një person, kurse tre persona të tjerë janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, ku kanë vdekur më pas dy nga ta.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë autoritetet ndërsa po punohet për kapjen e autorit/ve.
Presidentja Osmani: Goditje ndaj rendit dhe sigurisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit në Gllogjan ku mbetën të vrarë tre persona, duke thënë se ky sulm është goditje ndaj rendit dhe sigurisë së Kosovës.
Kryetarja e shtetit të Kosovës ka shprehur ngushëllimet edhe për familjarët e viktimave si dhe uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.
“Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin”, ka thënë Presidentja Osmani.