Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është qëlluar me qershi nga disa aktivistë të Partisë Social-Demokrate të Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur ndërsa Kurti po hynte në ministrinë e Drejtësisë.
Kanë qenë truprojat që kanë ndërhyrë menjëherë duke i hapur një çadër kryeministrit të Kosovës.
Aktivistët dëgjohet tek thërrasin “gënjeshtar” dhe “tradhtar”.
Aksioni i kësaj force politike kishte të bënte me marrëveshjen e djeshme për çështjen e targave ku, sipas PSD-së, Kurti shkeli qëndrimet e tij të para dy ditëve.
“Fakti që kryeministri i Kosovës tenton të hyjë fshehurazi, fshihet nga qytetarët në një takim publik me polici të Kosovës tregon më së miri çfarë marrëveshje kanë bërë, sa të dëmshme janë ato dhe çfarë gjendje ka përfunduar kjo qeveri i Republikës së Kosovës,” – deklaroi kreu i Partisë Social-Demokrate, Dardan Mulliqi.
Ai u shpreh se aksionet do të vazhdojnë.