Emërtimi “Flladi i detit” tingëllon romantik për një manovër ndërkombëtare ushtarake, që këtë vit jo vetëm që është shumë e madhe, por provokon edhe Moskën.
Në manovrën ushtarake, që drejtohet nga SHBA dhe Ukraina, marrin pjesë mijëra ushtarë, si edhe duzina avionësh e anijësh nga 32 vende. Ushtria amerikane ka bërë të ditur, se manovra do të zgjasë dy javë, dhe është një nga më të mëdhatë në Detin e Zi që nga viti 1997. Moska e shikon si provokim manovrën që kryhet para territorit të saj dhe i kërkoi Uashingtonit të heqë dorë.
Pak pas apelit drejtuar SHBA-së pati një incident në afërsi të Gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia. Sipas të dhënave të Moskës, roja bregdetare ruse largoi nga ujërat e saj luftanijen britanike “HMS Defender”. Mediat britanike e konfirmuan këtë, por theksuan, se anija vazhdoi kursin e saj. Qeveria në Londër kishte folur për një stërvitje ushtarake ruse, që nuk kishte lidhje me “Defender”. Kurse sipas Moskës, luftanija britanike kishte hyrë tre kilometra në territorin rus.
Moska: Manovra është provokim
Rusia ka përdorur fjalë të qarta për SHBA në lidhje me manovrën: “Përmasat dhe mënyra dukshëm agresive e manovrave ushtarake nuk i përgjigjen në asnjë mënyrë nevojave reale të sigurisë në rajonin e Detit të Zi”, thuhet nga Ministria e Jashtme e Rusisë. Zëdhënësja, Maria Saharova e cilësoi manovrën si provokim, që ka si synim sjelljen e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë.
Në prill marshimet e trupave ruse dhe ukrainase përgjatë kufirit lindor të Ukrainës sollën shqetësime në nivel ndërkombëtar dhe frikën se konflikti mund të shkallëzohej sërish. Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga Gjermania dhe Franca në vitin 2015 ndërkohë ka ngrirë. Më shumë se 13.000 vetë kanë humbur jetën në konfliktin lindor në Ukrainë.