Kryeministri Edi Rama përshëndeti operacionin e autoriteteve në Shkodër, ku 11 persona përfunduan në pranga për fajde e gjobëvënie.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se falë punës së policisë, që po bëhet çdo ditë e më efikase, sot Shkodra është më e sigurt se asnjëherë.
“Përshëndetje dhe përgëzime të gjithë forcave policore që u angazhuan në superoperacionin e Shkodrës, duke çmontuar dhe çuar prapa hekurave një grup kriminal keqbërësish. Sot Shkodra është më e qetë e më e sigurtë se asnjëherë dhe Policia e Shtetit çdo ditë më efikase”.
11 persona u arrestuan mëngjesin e së enjtes ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim për gjobëvënie dhe dhënie parash me fajde në qytetin e Shkodrës.
Prokuroria e Shkodrës tha se këta persona jepnin hua shuma parash për interesa shumë të larta që varionin nga 3% deri në 20% në javë. Kur borxhi nuk shlyhej, ata u merrnin klientëve prona të luajtshme dhe të paluajtshme.