Super Thuram nuk ka mjaftuar që Interi i Simone Inzaghit të nisë me sukses mbrojtjen e titullit kampion në Seria A.
Zikaltërit dështuan të merrnin tre pikët e para në startin e kampionatit italian për sezonin 2024/2025, duke ngecur në një barazim dramatik në stadiumin “Luigi Ferraris”.
Ishin kuqeblutë vendas ata që me Grifone zhbllokuan sfidën në minutën e 20-të. Pas një gabimi të Sommer që nuk largoi siç duhet goditjen me kokë të Banit, topi goditi traversën dhe Vogliacco ishte më i shpejti duke e dërguar në rrjetë.
Më pas Thuram mori përsipër sulmin e Interit duke gjetur golin e barazimit pas 30 minutash lojë, me një goditje të bukur me kokë.
Në minutën e 83-të sërish sulmuesi francez u shfaq në zonë duke çuar rezultatin në 2-1 me një zhytje të shkëlqyer. U duke se Interi hipotekoi fitoren e parë në garën për Scudeton, por në mesin e shtesës Bisseck preku topin me krahun e tij në zonë.
Messias ishte ai që mori përsipër penalltinë në minutën e 94-të. Sommer bllokoi goditjen e parë, por braziliani nuk gaboi pasi topi u rikthyer në këmbët e tij në të ’96.
Në këtë sfidë u aktivizua edhe mesfushori i kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, i cili hyri në fushë në minutën e 85-të duke zënë vendin e kapitenit zikaltër, Lautaro Martinez. Në minutën e 9-të shtesë Asllani u ndëshkua nga arbitri me karton të verdhë për sjellje antisportive.