Armando Sadiku mendon se është shpejt për një rikthim në Superiore. Tirana dhe Partizani, që tentuan të firmosnin me sulmuesin e Kombëtares, duhet të presin. Ai e ka zgjedhur skuadrën e re.
Sadiku ka firmosur me Mohun Bagan, në Indi. Zyrtarizimi është bërë nga klubi indian me një njoftim në faqen zyrtare, ku i uron mirëseardhjen futbollisti 32-vjeçar. Skuadra e re e sulmuesit të Kombëtares u shpall kampione sezonin e fundit nëpërmjet play-offit, pasi e mbylli në vend të 3-të sezonin e rregullt.
Elbasanasi do të provojë kështu edhe eksperiencën aziatike, pas asaj europiane dhe amerikano-jugore. Sezonin e fundit Sadiku luajti për Kartagjenën në Spanjë, ku shënoi edhe 8 gola.
Futbollisti kuqezi, që mbahet mend për golin e vetëm të shënuar nga Shqipëria në Europianin e 2016-ës, u rikthye në Kombëtare së fundi nga trajneri Silvinjo. Ai ishte grumbulluar për dy ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, duke luajtur pak minuta në fund në sfidën e dytë.