Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë caktuar misionet përkatëse të asistencës të cilat do të monitorojnë dhe asistojnë veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin.
Në një reagim në rrjetin social X, ambasada amerikane në Shqipëri bëri të ditura edhe pritshmëritë që ka nga ky komision.
“Si një partner i palëkundur i përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin “ad hoc” për qeverisjen e mirë, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Pritshmëritë tona janë që puna e komisionit të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente, të përputhet me Kushtetutën, të mbrojë pavarësinë e institucioneve dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Në krye të misionit të SHBA do të jetë drejtuesja e misionit të OPDAT, Mary Kate. Ndërsa në krye të misionit të Bashkimit Europian do të jetë Agnes Bernhard, një emër i njohur për shqiptarët si ish-drejtuese e misionit të EURALIUS, e cila punoi gjatë implementimit të reformës në drejtësi disa vite më parë.
Krahas këtyre dy misioneve, janë përcaktuar dhe pritet të mbërrijnë në Tiranë ekspertët e caktuar nga Këshilli i Europës dhe OSBE-së.
Ekspertët ndërkombëtarë pritet që javën e ardhshme të bëhen pjesë e procesit duke ju bashkuar Grupit të ekspertëve shqiptar të nivelit të lartë, ku marrin pjesë ekspertë të shoqërisë civile, pedagogë të njohur të universitetit, ekspertë të institucioneve të pavarura dhe të organizatave të komunitetit të biznesit.
Grupet e ekspertëve kanë filluar punën gjatë muajit gusht dhe janë në fazën e hartimit të analizës, skanimit të situatës aktuale bazuar ne gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të BE-së.
Në maj të këtij viti Kuvendi miratoi një rezolutë e cila synonte krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm Antikorrupsion, me qëllim goditjen e korrupsionit dhe reformimin e administratës.
Në krye të komisionit u vendos ish-drejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, teksa kryeministri Edi Rama e prezantoi si një nismë e cila nevojitet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Komisioni u shoqërua me një sërë kritikash në media ku zëra të ndryshëm pretenduan se po tentohej ndërhyrja në punën e SPAK.
Megjithëse, përbërja e komisionit të ri kërkon gjashtë anëtarë nga shumica parlamentare dhe pesë nga opozita, deri më tani këta të fundit kanë refuzuar t’i bashkohen.