Aktualitet Superoperacioni antidrogë italo-shqiptar: Në pranga 1 prokuror dhe zyrtarë të policisë

Superoperacioni antidrogë italo-shqiptar: Në pranga 1 prokuror dhe zyrtarë të policisë

Një operacion i finalizuar me arrestimin 38 personave për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash është zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane.

Mes 38 të arrestuarve janë edhe zyrtarë të drejtësisë e policisë shqiptare, ndërsa është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota.

Dy vite më parë, Sota ka garuar për të qenë pjesë e SPAK, mirëpo ishte skualifikuar nga gara pasi nuk plotësonte kriteret e nevojshme. Në pranga kanë rënë edhe 5 punonjës policie. Mes tyre është edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe Festim Lelaj, një ish-oficer policie i arrestuar edhe më herët për trafikim lëndësh narkotike në drejtim të Italisë.

Autoritetet shqiptare dhe Departamenti i Hetimit Antimafia italiane kanë lëshuar 38 urdhër arreste në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë për trafik ndërkombëtar të drogës, korrupsion, abuzim me detyrën dhe pastrim parash. Ekzistojnë gjithashtu vendime për konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, me vlera disa milionë Euro.

Në ndihmë të hetimeve italo-shqiptare janë edhe dëshmitë e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Përveç fenomenit të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, u zbulua i gjithë “zinxhiri i furnizimit” të drogës në lidhje me kultivimin, prodhimin, grumbullimin, magazinimin dhe dërgesën në brigjet e Pulias.