Massimiliano Allegri mund të jetë trajneri i ardhshëm i Barcelonës, lajm që është publikuar sot nga e përditshmja britanike “Daily Express”.
Një lajm që ka befasuar të gjithë, pasi pritej që trajneri italian të shkonte në Premier League, për të zëvendësuar Arsene Wenger tek Arsenali.
Por orët e fundit ka patur një kontakt mes drejtorit sportiv të Barcelonës, Ariedo Braida dhe trajnerit juventin, për t’i propozuar vendin e trajnerit të ekipit “blaugrana” (njihen që nga koha kur ishin te Milani). Çka tregon se e ardhmja e Luis Enrique në stolin e Barcelonës është në dyshim dhe mund të largohet në fund të sezonit.
Allegri po kalon një moment të mirë dhe tashmë është në dilemë për të zgjedhur mes Arsenal dhe Barcelona. Humbja 4-0 që katalanasit pësuan pak ditë më parë në Champions League ka ndërlikuar edhe më shumë pozitat e trajnerit Enrique, që duket se nuk pëlqehet më as nga skuadra. Duket se largimi i tij është i paevitueshëm nga Barcelona, ndaj dhe Braida ka nisur të bëjë sondazhet e para, duke vendosur në listë edhe trajnerin e Juventusit.
Allegri ka përvojën e duhur edhe në arenën ndërkombëtare, ndaj shihet si një kandidat i fortë për t’u ulur në stolin e Barcelonës, ku do të drejtonte Lionel Messi.