Sylvinho ka treguar në Spanjë për eksperiencën e tij “shqiptare”. Komisari teknik i Shqipërisë ka pranuar se objektivi ynë në eliminatoret e “Euro 2024” është kualifikimi për në fazën finale edhe pse konsideron si “të fortë” grupin në të cilin ndodhet kuqezinjtë.
I pyetur se si kishte nisur gjithçka braziliani u përgjigj: “Presidenti i FSHF më tha se ishte një mundësi për të qenë unë trajneri i Shqipërisë. Folëm, biseduam së bashku dhe vendosa që t’i bashkohem kësaj Kombëtareje. Gjërat po na shkojnë mirë deri tani, kemi marrë disa rezultate të mira dhe ka shumë entuziazëm për të ardhmen”.
Edhe pse nuk ka shumë eksperiencë si seleksionues Sylvinho “mbrohet” duke përmendur njërin prej bashkëpunëtorëve të tij me më shumë famë: “Ndryshon shumë drejtimi i një ekipi nga i një përfaqësueseje. Por Tite më ka mësuar shumë në kohën kur isha me të te Brazili. Duhet t’i shkosh lojtarët që t’i takosh, t’i ndjekësh në çdo moment, detajet kanë rëndësi”.
Edhe pse e konsideron grupin si të vështirë, Sylvinho tregon arsyen e optimizmit të tij: “Lojtarët tanë janë shumë të mirë, luajnë në nivele të larta të futbollit në Europë. Grupi është i vështirë, por objektivi ynë është kualifikimi në Europian, do të vendoset në ndeshjet e fundit”.
Braziliani komenton edhe dëmtimet e Brojës dhe Kumbullës, teksa tregon se ambienti i punës në Shqipëri është i qetë: “Mëkat për Kumbullën dhe Brojën për shkak të dëmtimeve të tyre. Kemi palestër, fusha të reja futbolli, mundësi për të shkuar dhe për t’i takuar lojtarët. Ka shumë qetësi në bërjen e punës dhe njëkohësisht kemi gjithçka na nevojitet”.