Nga aventura e shkurtër e Sulejman Demollarit në krye të kombëtares së Shqipërisë, në 2002, te kuqezinjtë nisi epoka e trajnerëve të huaj. Ndonjëherë e suksesshme e ndonjëherë jo, si Giuseppe Dossena.
Italiani ishte i pari në “eksportin” e trajnerëve të huaj nga FSHF, për të mbërritur te braziliani Sylvinho.
Nesër tekniku do të prezantohet para medias si trajneri i ri i kombëtares. Por si për të fituar pikët e para, Sylvinho ka qartësuar se do të jetë rezident në Shqipëri.
Dossena mbetet, gjithsesi, rasti më i dështuar i një tekniku të huaj në drejtimin e kuqezinjve. Ish-doriani u ‘arratis’ pas vetëm dy ndeshjesh me një nënvleftësim të hapur për ekipin që la. Skuadra që ai la kaloi në duart e Hans-Peter Briegel. Gjermani, në një periudhë 4 vjeçare (2002–2006), mori jo pak kënaqësi. Duke filluar me fitoren në debutim, 3-1 me Rusinë në “Loro Boriçi”, apo ajo kundër kampionëve të Europës, Greqisë. Atëherë, në daljen e tyre të parë si fitues në Portugali, skuadra e Rehagel u dorëzua 1-2.
Pas gjermanit, që fitoi zemrat e shqiptarëve, mbërriti një profesor si Otto Barić. Kroati qëndroi vetëm një sezon (2006–2007) dhe u largua pas disfatës së turpshme me Rumaninë. Gjithsesi, tregoi karakter, kur pas problemit në zemër u paraqit menjëherë në Sofje për ti bllokuar bullgarët në një barazim me peshë.
Arie Haan në sezonin 2008–2009, iku pa lënë gjurmë, duke i lënë vendin një tjetër kroati si Josip Kuže. Ai udhëhoqi kuqezinjtë nga 2009 në 2011, deri kur një iktus e detyroi ti linte pankinën trajnerit më jetëgjatë në historinë e të huajve që kanë drejtuar kombëtaren.
Dashuri italiane
Gianni De Biasi nga 2011 në 2017 është i paharrueshëm për kualifikimin e Shqipërisë për herë të parë në finalet e një turneu madhor. Italiani i çoi kuqezinjtë në Euro 2016. Pastaj dashuria e lindur me italianët është edhe meritë e ‘shqiptarit’ De Biasi.
FSHF vazhdoi me teknikët e përtej Adriatikut: Christian Panucci në 2017–2019 dhe Edoardo Reja në trevjeçarin që pasoi.
Por pasaporta shqiptare e Giannit, nuk e bëri që të ndryshonte konceptin që të gjithë të huajt e tjerë e kishin ruajtur me rigorozitet. Prezencën part-time në Shqipëri. Kjo deri kur mbërriti Sylvinho. Braziliani, ashtu si dhe stafi i tij me Doriva e Zabaleta, do të jenë banues këtu, në 18 muajt e kontratës së tyre me kuqezinjtë. Një ide për të qenë më pranë realitetit shqiptar, për të njohur më mirë shqiptarët. E për të qenë më shqiptar se të gjithë të tjerët, pavarësisht pasaportës që e kanë ndryshe…