“Muhabet kot”, i ka cilësuar kryeministri Edi Rama akuzat se me “superkomisionin për drejtësinë” që mazhoranca kërkon të ngre, synohet ndryshimi dhe kapja e Reformës në Drejtësi.
Nga Kotorri, aty ku ndodhet për Samitin e liderëve te Ballkanit Perëndimor, kreu i qeverisë tha se këto akuza nuk qëndron, duke ripërsëritur frazën se “PS i dha jetë SPAK”, e për rrjedhojë nuk mund ta zhbëjë atë. Megjithatë, nuk nguroi të thotë se SPAK, ka problemet e saj, ndonëse në retorikën e tij politike nuk ka komentuar shumë veprimtarinë e këtij institucioni të prodhuar nga Reforma.
“Ky është muhabet kot sepse e para një herë, në rast se do të imagjinohej diçka e tillë ajo do duhet të kalonte përmes ndryshimesh të Kushtetutës. E para! E dyta, si mundemi ne dhe si mundem unë që të kem një synim të tillë kur faktikisht isha unë me Partinë Socialiste që i dhamë jetë SPAK-ut dhe që i japim sot mbështetjen pa ekuivok dhe deri më sot nuk di të kemi hapur ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK-ut edhe pse si çdo veprimtari tjetër e çdo institucioni tjetër, ka problemet e veta. Kjo është një mënyrë për ta zvogëluar në perimetrin e gotës së furtunave të politikës së ditës një gjë aq të madhe, të rëndësishme sa ç’është tema e një dallge të re reformimi, saqë nuk ia vlen fare të humbasim kohë për këtë”, tha Rama.
Ai ka edhe një mesazh për opozitën, që rrugëtimin për integrimin e vendit në BE, ta ndajnë përtej sherreve të politikës së brendshme.
“Nuk jam në dijeni të them të drejtën sepse është depozituar draft-rezoluta në Parlament dhe do të vazhdojë të ketë procesin e saj dhe njësoj siç kemi bërë me reformën në drejtësi, ne do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë, në të gjitha rastet pjesën tonë, por në këtë rast është e domosdoshme pikërisht sepse në çështje të caktuara, kërkohet dhe një konsensus më i gjerë në sallën e Parlamentit, pra kërkohen votat, por edhe sepse në fund të ditës, të paktën me fjalë dhe bazuar në programe, të gjitha partitë politike shqiptare, nuk e diskutojnë fare që destinacioni është Bashkimi Europian madje grindja lidhet me kush e çon më shpejt dot Shqipërinë në Bashkimin Europian, të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret e përditshme politike që mund të vazhdojnë normalisht siç kanë vazhduar deri tani në hapësirat e tjera dhe aty të flitet teknikisht dhe të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo të flitet me gjuhën e shthurur të politikës të ditës. Besoj që kjo edhe do të ekspozojë shumë gjëra në pikëpamje të qasjes, nëse ka ende nevojë të ekspozohen gjëra për sa i përket partive politike në Shqipëri”, përfundoi Rama.