Bota SYRIZA: Amatorizëm i rrezikshëm i qeverisë në trajtimin e marrëdhënieve greko-turke

SYRIZA: Amatorizëm i rrezikshëm i qeverisë në trajtimin e marrëdhënieve greko-turke

Opozita kryesore e majtë greke, SYRIZA akuzoi qeverinë për amatorizëm të rrezikshëm në trajtimin e marrëdhënieve greko-turke.

Në një intervistë për radiotelevizionin kombëtar grek, ERT, zëdhënësi i SYRIZA-s, Aleksis Charitsis theksoi se “përgjigjet e qarta dhe zyrtare janë një mburojë ligjore dhe politike për interesat tona kombëtare. Për fat të keq, dy ditë pas deklaratave të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan për zonat gri, ne jemi ende në pritje të përgjigjes zyrtare të qeverisë greke”.

“Përshkallëzimi i tensioneve nga pala turke tejkalon gjithçka që kemi parë në 20 vitet e fundit, diçka që duket se është një zgjedhje strategjike nga ana e Turqisë”, shtoi Charitsis.

”Fatkeqësisht, qeveria nuk po arrin të japë përgjigjet e duhura diplomatike dhe në vend të kësaj po përgjigjet me reagime që nxjerrin në pah një amatorizëm të rrezikshëm… Qeveria duhet të kuptojë se sa thelbësore janë veprimet dhe se sa këto të fundit demonstrojnë seriozitetin e duhur”, përfundoi zëdhënësi i SYRIZA-s, Charitsis.