Kryeministri Edi Rama reagoi pasi në rrjetet sociale u njoftua për protestën e radhës ditën e sotme, ku kërkohet largimi i Ardi Veliut, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
“Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të Brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve!
Pushteti merret me votë jo me djegie! Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj!
Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!
Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë“, shkroi Rama në Twitter.