Kryesore Tabaku: Fatura e arbitrazhit është 385 milionë euro. Rama: Asnjë qindarkë nuk...

Tabaku: Fatura e arbitrazhit është 385 milionë euro. Rama: Asnjë qindarkë nuk i është paguar Becchetti-t

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi në fjalën e saj në Kuvend se vendi ka një ka një faturë prej 385 milionë euro për të paguar nëpër arbitrazhe.

Por pretendimi i saj u hodh poshtë nga kryeministri Edi Rama. Ai tha gjatë seancës plenare se qeveria nuk i ka paguar asnjë qindarkë Francesco Becchetti-t.

Madje ai shtoi se vijon ballafaqimi me të me drejtësinë. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ai tha se nuk ekziston një faturë 385 milionë euro për Shqipërinë nga arbitrazhi.

“Zonja Tabaku nuk e kuptova pse e ulët befas nivelin e komunikimit duke folur për budallalliqe sepse minimumi besoj shifrat dhe faktet meritojnë konsensus, pastaj interpretimet janë çështje tjetër. Këtu e mora fjalën se dëgjova një shifër nga ato që ju prodhoni, 385 milionë Euro fatura arbitrazhi.

Ku është kjo faturë? Nëse do na e tregoni faturën faktike, jo hamendje dhe konkluzione të bazuara mbi hamendje atëherë hajde ta diskutojmë. Nuk mund ti thoni dot parlamentit dhe publikut që ka një faturë 385 mln Euro për arbitrazhe që qeveria po e paguan. Qeveria pavarësisht se në mënyrë të përsëritur, ju bashkarisht, mbase dhe ju personalisht, keni lajmëruar se po paguhet një marifetçi i madh si ai që e përdorët edhe për të çoroditur njerëzit përpara zgjedhjeve unë po ju them që zero, asnjë qindarkë nuk i është paguar, as Becchetti-t dhe askujt tjetër tani që flasim. Zero, dhe jo vetëm zero, por ndërkohë ballafaqimi vazhdon. Vazhdon në çdo hapësirë ku ka mundësi të zhvillohet një ballafaqim legal. Keqardhje për këtë zonja Tabaku se ju edhe lexoni shumë siç thoni vetë dhe për një njeri që lexon shumë dhe mban shumë shënime të flasë për 385 mln euro që faktikisht nuk ekzistojnë është pak si e sikletshme”, u shpreh Rama.