Nisur nga konstatimi për vendosjen në rrugën kombëtare Qafë Muzinë – Sarandë – Konispol, të sinjalistikës rrugore me emërtime të qendrave të banuara në gjuhën minoritare të zonës dhe shqipe, Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë mbrëmjes së mbrëmshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka realizuar heqjen e 35 tabelave, të cilat ishin vendosur jashtë standardeve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Sa me sipër, çdo palë e tretë jo ent pronar i rrugës, në kushtet kur vendos të ndërhyjë në rrugë apo vendosje sinjalistike treguese për zonat e banuara, duhet t’i referohet “Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”.
ARRSH konstatoi se 35 tabela të vendosura në këtë aks nacional, nuk plotësonin kushtet e përcaktuara në kodin rrugor të RSH, për mbrojtjen e sigurisë rrugore të përdoruesve të rrugës, ku shumica prej tyre pengonte shikueshmërinë e tabelave rrugore paralajmeruese në këtë aks. Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për sa i përket specifikimeve teknike të tyre.
Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për sa i përket renditjes së emërtimeve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.
Si rrjedhojë, duke e konsideruar vendosjen e këtyre tabelave në shkelje të procedurave ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si dhe Policinë Gjyqësore, kanë ndërmarrë gjatë mbrëmjes se 4 majit masat për heqjen e këtyre tabelave duke eliminuar nga rruga 35 tabela sinjalizuese, të cilat ulnin sigurinë rrugore të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës.