Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se dënimi i Ervin Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë, është vendim politik dhe një mesazh nga Edi Rama për këdo që denoncon korrupsionin dhe krimin në Shqipëri.
“Nuk shkoj në burg Ervin Salianji. Vendimi i sotëm është kundër çdo qytetari që ka vendosur të jetojë në këtë vend dhe të denoncojë korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar të Edi Ramës. Salianji ka thënë që Geron Xhafaj, vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, është trafikant droge. Prandaj po shkon në burg. Ku është kallëzimi i rremë këtu?”, tha Bardhi në një deklaratë për mediat para godinës së selisë së PD.
“Kush e dha sot vendimin? Një gjyqtar i cili ka qenë përfaqësues politik në KQZ për socialistët, një njeri që ka marrë premtimin nga Fatmir Xhafaj, që do të shkojë në Gjykatën e Lartë. Ky vendim është shpallje lufte ndaj grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Vendimi është politik. Të dalë jashtë burgut Saimir Tahiri dhe të shkojë një deputet i opozitës që ka guximin të bëjë denoncime? Të dalë nga burgu Vangjush Dako dhe të shkojë një deputet i opozitës që ka guximin të bëjë denoncime?”, akuzoi Bardhi.