Astrit dhe Jasin Avdylaj që ndodhen në masën e “arrestit të shtëpisë”, për një nga fraksionet e dosjen “339” (laboratorin e Hasit), janë marrë në pyetje në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt.
Marrja në pyetje është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Kurbinit nga Policia e Lezhës, ndërsa agjentët kanë mbërritur në Durrës ku edhe banojnë.
Në kuadër të kësaj kërkese është bërë edhe kontroll banese ku nuk është konstatuar send i kundraligjshëm.
Martinaj dyshohet të ketë pasur një nga takimet e fundit para se të humbiste çdo gjurmë tek vëllezërit Avdylaj, ndërsa organi i akuzës dyshon se këta të fundit mund të kenë pasur dijeni mbi lëvizjet e tij.
Ervis Martinaj, i njohur si ‘mbreti’ i lojërave të fatit, është zhdukur prej më shumë se 2 muajsh.
Zhdukja e tij ka vënë në lëvizje jo vetëm institucionet e drejtësisë, por edhe politikën.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt do kemi një përgjigje për fatin e tij.
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha para gazetarëve se Rama e di ku ndodhet ‘mbreti’ i lojërave të fatit’ dhe akuzoi Prokurorinë se nuk po vepron.