“Takimi i Ramës me emigrantët në Athinë nuk ka lidhje me datën e një viti më parë të arrestimit të Belerit, siç nuk ka tendencë që të ndikojë në politikën e brendshme të 2 vendeve”, kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi lidhur me pretendimet se data 12 maj, vizita e kryeministrit me shqiptarët e Greqisë të jetë tendencioze.
“Ne nuk kemi në asnjë rast komente për vendimet e drejtësisë. Kushdo që është kërkuar të japë informacion para drejtësisë nuk ka pasur pengesë nga PS-ja, është një realizim i një premtimi tonë të fortë elektoral, realizimi i një drejtësie të pavarur. Kushdo që ka kërkesa nga organet e drejtësisë së re, do të jetë i disponueshëm t’i japë.
Përsa i përket lidhjes që i bëni me kapjen në flagrancë kandidatit të opozitës duke manipuluar procesin zgjedhor dhe duke ndikuar në rezultatin e Himarës, turin e kemi deklaruar që në datën 8 dhjetor. Nuk ka lidhje me datën e një vit të arrestimit të kandidatit të opozitës së bashkuar në Himarë. Nuk ka asnjë tendencë që takimi të ndikojë në politikën e brendshme të 2 vendeve.
Nuk ka asnjë tendencë që vizita në këtë tur në vendet kryesore, ne nuk po shkojmë rastësisht në këto vende, gjejmë që këto vende janë kryeqendrat e diasporës shqiptare në rajon, nuk do të ketë asnjë tendencë politike. Nuk janë nën logon e PS-së, janë të kryetarit të shtetit shqiptar për të folur për atë që Shqipëria ka arritur, atë që ju ofron bashkatdhetarëve tanë, krenarinë që Shqipëria është një vend shumë më tepër i zhvilluar ekonomikisht, që është bërë pikë referimi dhe kërkesa e vazhdueshme që kontributet e këtyre djemve dhe vajzave që kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm në këto 4 shtete, por kudo janë të nevojshme”, tha Klosi.
Në një deklaratë për mediat, teksa foli për rienergjenizimin e partisë, ai foli për votën e emigrantëve, për të cilën partia e tij ka shprehur vullnetin, por duhet që komisioni të diskutonte për kushtet teknike për realizimin e saj.
“Vullneti i PS-së përsa i përket votës së emigrantëve është shprehur falë votës së deputetëve të PS-së, është sanksionuar vota e emigrantëve. Vizita e kryeministrit Rama në Athinë ka të bëjë me kontakte që duhet të ketë shteti me diasporën për të pasur rienergjizim, ftesës që i duhet bërë emigrantëve për të qenë pjesë e vizionit të PS-së dhe të kenë mundësinë që të kuptojnë se kjo Shqipëri ofron shumë më tepër mundësi të jetë vend që diaspora të japë kontributin. Vullnetin për votën e diasporën e kemi shprehur. Ka nevojë për të pasur procedurë standarde dhe debat për mënyrën si do të realizohet. Kemi shprehur vullnet për të realizuar votën e emigrantëve”.
Klosi foli edhe për zgjedhjet dy ditore që do të zhvillohen sot dhe nesër në 5200 organizata socialiste, ku 95 mijë anëtarë aktivë do të zgjedhin delegatët e Kongresit të PS.
“PS përcaktoi një sërë etapash në kuadër të rienergjinizmit, e cila në ditët e sotme ka momentin final. 5200 organizata socialiste në shkallë vendi thërret sot plot 95 mijë anëtarë aktivë për të votuar për delegatët e Kongresit të PS. Kjo vjen për zgjedhjen e kryetarëve të çdo organizate të PS. Kemi një ristrukturim të plotë të organizatave të PS. Delegatët e kongresit do të zgjidhen me parimin një anëtar një votë, sot fillon procesi i votimit që do të shtrihet në dy ditë, nga sot pasdite në orën 15:00-19:00”.
I pyetur nëse do të ketë PS të njëjtin standard për hetimet ndaj Veliajt siç ka pasur për zyrtarët e tjerë, që ta lërë të përgjigjet vetë para drejtësisë, Klosi u përgjigj: “Nuk kemi asnjë koment për vendimet që do të marrë drejtësia, por kushdo që është kërkuar për të dhënë informacion nuk ka pasur pengesë nga PS e nga kryeministri dhe është një realizim i një premtimi tonë elektoral, realizimi i një drejtësie të pavarur dhe nuk mund të jetë e komanduar nga vullneti politik. Kushdo do të japë informacione”.