Politika Takimi i Ramës në Athinë, Basha dhe Meta hedhin dyshime: Stadiumi do...

Takimi i Ramës në Athinë, Basha dhe Meta hedhin dyshime: Stadiumi do mbushet me patronazhistë nga Shqipëria

Nga Elbasani ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të kësaj dege, Lulzim Basha, komentoi takimin e Edi Ramës me shqiptarët në Athinë. Sipas kreut të PD zyrtare, Rama i ka larguar shqiptarët dhe tani kërkon t’i takojë.

Kreu i PD gjithashtu tha se Rama në takimin me 55 kryetarët e bashkive të Partisë Socialiste, u ka dhënë urdhër që të çojnë njerëz jashtë vendit për t’ia mbushur stadiumet ku do të bëjë takimet.

“Tani që ka zbrazur Shqipërinë, po shkon tek eksporti i tij, po shkon te diaspora. A po shkon vallë te diaspora? Se lajmet e fundit tregojnë se i ka mbledhur 55 kryetarët e bashkive dhe u ka dhënë kuota, bashkitë e vogla nga 50, bashkitë e mëdha nga 100 për të mbushur stadiumin. Pse? Që të ndihet mirë Edi Rama. Dhe të eksportojë edhe më shumë shqiptarë. Dhe kryetarët e bashkive, duke nisur nga ky i Elbasanit, që kanë harruar se çfarë është shërbimi ndaj qytetarëve, i janë kthyer në vegla të shfaqjes së “one man show” të Edi Ramës, shfaqje me një njeri, që nuk bën më të qesh për asnjë njeri. Bën të qajë shumë nëna dhe baballarë, prindër fëmijësh. Po shkon atje ku i ka përzënë shqiptarët, atje ku vazhdon t’i përzë shqiptarët, për t’ju thënë çfarë? Që pas 4 palë zgjedhjesh premtime për votën e diasporës, se bën votën e Diasporës”, tha Basha.

Edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë një konferencë për mediat hodhi dyshime se Edi Rama stadiumin në Athinë do ta mbushë me qytetarë që jetojnë në Shqipëri dhe jo me emigrantë në Greqi. Sipas tij qindra patronazhistë kanë ikur me autobusë për të qenë në takim me Ramën.

“Qindra mijëra patronazhistë kanë kaluar sot Kapshticën e Kakavijën. Nga bashkia e Maliqit ku është pylli i fazanëve ka më shumë të punësuar. Janë 20 të punësuar dhe 13 fazanë kanë ngelur. Edhe bashkia e Korçës, edhe këtej nga Gjirokastra”.