Politika Takimi informal me liderët e rajonit, Rama poston foton: Për çfarë diskutuam

Takimi informal me liderët e rajonit, Rama poston foton: Për çfarë diskutuam

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto pas takimit informal në Vilën 30 me liderët e Ballkanit Perëndimor. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Kreu i qeverisë bën me dije se gjatë takimit informal është diskutuar mbi planin e ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Sot pas takimit informal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Në takimin informal të ditës së sotme, i vetmi që nuk ishte i pranishëm nga liderët e Ballkanit Perëndimor ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Takimi nisi rreth orës 12:00 dhe përfundoi rreth orës 15:30. Në këtë takim informal u diskutua për të gjitha projektet që do të financohen në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky samit do të mbahet në Tiranë në muajin Tetor.