Në vend që të pranonte një test të ofruar nga pala ruse për të verifikuar nëse ishte i infektuar me koronavirus, kancelari Olaf Scholz preferoi një mjek të sjellë nga ambasada gjermane në kryeqytetin rus dhe në këtë mënyrë kreu testin PCR para se të hynte në godinën e Kremlinit.
Sipas burimeve nga delegacioni gjerman, zyrtarët rusë të shëndetësisë ishin të pranishëm gjatë testit që iu bë Kancelarit.
Javën e kaluar edhe Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu refuzoi të testohej nga testi rus PCR para takimit me Putinin. Bisedimet midis Macron dhe Putin u mbajtën në një tryezë gjashtë metra të gjatë për të ruajtur një distancë drastike fizike.
Në një konferencë për shtyp pas takimit, Putin dhe Macron qëndruan disa metra më tutje. Gjermania është partneri më i madh tregtar i Rusisë në Europë.
Scholz ishte i fundit nga disa krerë shtetesh dhe qeverish perëndimore që janë të përfshirë në një ofensivë të fortë diplomatike për të parandaluar luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në nisje të fjalës së tij, Putin u shpreh se do t’i kushtojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës çështjeve që lidhen me situatën në Evropë dhe me sigurinë.
Një tjetër çështje e rëndësishme që lidh Gjermaninë dhe Rusinë është Nord Stream 2, një projekt që e ka vendosur Berlinin përballë Brukselit dhe Washingtonit.
Rusia nisi sot tërheqjen e trupave ushtarake nga kufiri me Ukrainën, pasi sipas Ministrisë së Mbrojtjes në vend, “stërvitjet ushtarake përfunduan”.
Rusia pati grumbulluar rreth 100 mijë trupa ushtarake në kufi me Ukrainën, gjë që solli paralajmërimin e Perëndimit për një pushtim të mundshëm rus.