Është zhvilluar sot në Bruksel takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell si dhe ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Vuçiç: Nuk do ta njohim kurrë Kosovën
Pas takimit, presidenti i Serbisë ka deklaruar për mediat se është rënë dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të muajit korrik.
“Unë nuk di çfarë t’ju them, të jem i sinqertë mendoj se zgjatja e bisedimeve flet edhe për rezultatet, u ra dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të korrikut, shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme që mund të garantojnë paqen dhe stabilitetin. Çdo gjë tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, u shpreh presidenti serb para mediave.
Ai shtoi se delegacioni i Kosovës nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara dhe nuk do të diskutojë mbi bashkimin e komunave serbe.
Vuçiç tregoi se në këtë takim nuk kanë munguar edhe përplasjet me kryeministrin Kurti, ku i ka theksuar se nuk do ta njohë asnjëherë Kosovën si shtet.
“Ai më pyeti kur do ta njohësh Kosovën dhe unë ju përgjigja ‘asnjëherë’. Erdhi në Bruksel për të mos rënë dakord për asgjë”, ka deklaruar Vuçiç.
Albin Kurti, 4 propozime në tavolinë Vuçiçit
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas takimit me presidentin e Serbisë ditën e sotme në Bruksel. Kreu i shtetit të Kosovës i ka paraqitur 4 propozime në tavolinë Vuçiç.
“Në Bruksel, bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi, e nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Borrell dhe emisarit të tij z. Lajçak, sot u takuam me delegacionin nga Serbia të përbërë nga z. Vuçiq dhe z. Selakoviq.
Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.
Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim:
1- Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
2- Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
3- Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
4- Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.
Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve.
Sot pasdite z.Borrell takohet me Presidentin Biden”, shkroi Kurti në Facebook.