Pasi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, ftoi homologun e tij grek Nikos Dendias të takohen në Tiranë për të dialoguar për mosmarrëveshjet mbi Mesdheun Lindor ka ardhur edhe përgjigja e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis. Kreu i shtetit helen iu drejtua me një mesazh Turqisë nga Lisbona aty ku ndodhet për të takuar homologun e tij.
“Ndaloni së luajturi rolin e shoqëruesit të dhëndrit dhe vendosni një datë për të filluar negociatat”, mësohet të ketë thënë ai.
Mitsotakis ka përshëndetur qëndrimet e Ankarasë për të rinisur dialogun në Janar dhe tha se për këtë është e nevojshme qëndrueshmëria dhe vazhdimësia.
Gjatë një konference për shtyp këtë të hënë, ministri turk Çavusoglu tregoi se ofertën për një takim në Tiranë palës greke ia kishte bërë Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës javën e kaluar në Turqi.
Por në një reagim, Ministria e Jashtme greke tha se deri më tani, nga Ankaraja nuk i ka ardhur asnjë ftesë zyrtare për raundin e 61-të të bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Athina shprehet e gatshme për ta pranuar një ftesë nga pala turke, por thekson se zgjidha duhet të arrihet në bazë të ligjit ndërkombëtar për përcaktimin e kufijve të zonave ekskluzive ekonomike dhe shelfit kontinental.