Ekonomi Taksat e bashkisë, familjet e kryeqytetit do të paguajnë më shumë në...

Taksat e bashkisë, familjet e kryeqytetit do të paguajnë më shumë në 2020-ën

Familjet që jetojnë në Tiranë duhet të përgatiten për t’i paguar më shumë taksa bashkisë vitin e ardhshëm. Teksa edhe vitin e ardhshëm, do të jetë taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja që do të mbajë peshën kryesore të të ardhurave, janë disa taksa dhe tarifa që rëndojnë në xhepin e gjithsecilit, nga të cilat Bashkia planifikon të grumbullojë më shumë të ardhura.

Kryesorja ndër to është taksa mbi pasurinë e paluajtshme, që pritet të kapërcejë ndjeshëm nga 244 milionë lekë të pritshme këtë vit, në plot 769 milionë lekë, për shkak të formulës së re për llogaritjen.

Arka pritet të mbushet edhe nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe tarifa e pastrimit, të cilat së bashku me taksën e pronës faturohen tek uji.

Po ashtu, edhe të ardhurat nga parkimi pritet të kapërcejnë nga 459 milionë lekë në mbi 617 milionë lekë, ku rritja pritet të vijë thuajse vetëm nga biletat e parkimit në sheshe dhe në rrugë.