Një taksist shqiptar është bërë protagonist i një gjesti të bukur ndaj Manuel Neuer, të cilin e kishte pasagjer. Hazir Stublla është shtangur kur ka gjetur portofolin e kapitenit të Bayernit teksa po pastronte makinën e tij.
Ai ka nxituar t’ia kthejë, por ka mbetur i zhgënjyer nga fakti që në këmbim mori vetëm një fanellë të “gardianit”, madje pa nënshkrimin e tij dhe asnjë fjalë falënderuese.
“Portofoli kishte emrin dhe adresën e Manuer Neuer. Aty ishin 800 euro, karta e identitetit, një kartë krediti dhe patenta. Ia dorëzova agjentit të tij dhe si shpërblim nuk mora as një faleminderit nga Neuer”, deklaroi Stublla për Bild.
Taksisti shqiptar theksoi se iu desh të udhëtonte mbi 100 km, duke shpenzuar rreth 400 euro. Pasi nuk e gjeti portierin në shtëpi, ai udhëtoi në një tjetër adresë, por Neuer nuk gjendej as aty.
Në fund arriti të takonte agjentin e futbollistit, të cilit i dorëzoi portofolin. Shpërblimi? “Pas rreth dhjetë ditësh, erdhi një kuti, pa asnjë falënderim. Kishte vetëm një fanellë të vetme në të, dhe kaq.
Jam babai i katër fëmijëve, çfarë më hyn në punë fanella?! Jam shumë i zhgënjyer nga Neuer”, u shpreh për të përditshëm gjermane Hazir Stublla.