Bota Taktika më e fundit e mafies: Operacioni “Salmoni i shenjtë

Taktika më e fundit e mafies: Operacioni “Salmoni i shenjtë

Taktika më e fundit e mafies: grabitja e salmonit. Peshkimi është një biznes i madh në Kili. Po ashtu, edhe vjedhja e peshkut, shkruan The Economist

Të veshur me xhaketa HI-VIS dhe çizme të rënda, burrat në pamjet e kamerës CCTV duken si punonjës krejt të zakonshëm të atij vendi, derisa njëri nxori armën.

Më 20 mars, të paktën dhjetë burra hynë në një depo të ftohtë në San Antonio, një port në Kilin Qendror, kërcënuan punonjësit me armë dhe u nisën me katër kamionë të mbushur me salmon, me vlerë rreth 600 milionë pesos (616,000 dollarë). Plani i tyre u prish shpejt. Në prill, policia gjeti disa nga peshqit në San Felipe, një komunë aty pranë.

Në gusht, u arrestuan 11 persona që kishin gisht në grabitje. Zyrtarët e këtij hetimi të quajtur “Operación Santo Salmón” (Operacioni i Salmonit të Shenjtë), mendojnë se banda po planifikonte t’i shiste peshqit gjatë Kreshmës, kur katolikët heqin dorë nga mishi dhe hanë vetëm peshk.

Grabitjet janë bërë një problem i madh për biznesin e dytë më të madh të eksportit të Kilit. Bujqësia e salmonit solli të ardhura me vlerë rreth 6 trilionë pesos dhe ishte përgjegjëse për rreth 70,000 vende pune në vitin 2023.

Ka pasur dy grabitje vetëm në vitin 2018, sipas shoqatës SalmonChile, që përfaqëson fermerët e peshkut në vend. Që atëherë, numri është rritur ndjeshëm.

Midis viteve 2019 dhe 2023, ka pasur 158 grabitje të salmonit, shumica e të cilave shënjestronin ngarkesat e peshkut që dërgoheshin me kamion. Shumë të tjera dyshohet se nuk raportohen fare.

Vala e krimit ka goditur këtë industri. Shoqata SalmonChile vlerëson se humbjet që nga viti 2019, arrijnë në më shumë se 67 miliardë pesos. Kompanitë po shpenzojnë më shumë për sigurinë dhe pajisjet e gjurmimit. Shoferët e kamionëve kanë frikë, pasi grabitjet ndonjëherë bëhen të dhunshme.

Dy shoferë u rrëmbyen gjatë grabitjeve në fillim të këtij viti. Shumë kompani po shmangin rrugët e zakonshme të shpërndarjes në jug të vendit. Disa shoferë kanë filluar të veshin jelek antiplumb.

Ricardo García nga Salmones Camanchaca, një biznes i kultivimit të peshkut, llogarit se këto shpenzime shtesë, së bashku me humbjet, po i kushtojnë industrisë rreth 1% të fitimeve bruto operative çdo vit.

Ka disa arsye pse është rritur shumë ky lloj krimi në kohët e fundit. Nisja e një kamioni me salmon, zakonisht me vlerë rreth 200 milionë pesos, ka qenë gjithmonë fitimprurëse.

Por meqenëse kërkesa e brendshme është rritur me pothuajse 20% midis viteve 2013 dhe 2020, ndoshta bandat kanë menduar se mund të fitojnë para më shumë se më parë, duke shitur peshk në tregjet lokale.

Në të njëjtën kohë, goditja e qeverisë ndaj vjedhjes së drurit mund të ketë nxitur “mafiet e drurit” që të shënjestrojnë dërgesat e salmonit. Grabitjet e salmonit janë më të shpeshta në rajonin Biobío, që ka qenë prej kohësh ndër më të prekurit nga vjedhja e lëndës drusore.

Ligjvënësit kilianë kanë filluar të hidhen në veprim. Krimi nuk po dëmton vetëm biznesin. Tregjet e mbushura me salmon të vjedhur, që është ruajtur (dhe ndonjëherë përpunuar) në kushte të dyshimta, paraqesin rrezik për shëndetin publik.

Disa anëtarë të Dhomës së Deputetëve, Dhoma e Ulët e Kongresit të Kilit, kanë propozuar një projektligj (të ngjashëm me ligjet që shënjestrojnë kontrabandistët e lëndës drusore), që do ta bënte grabitjen e salmonit një krim me dënime të ashpra.

Zoti García thotë se falë koordinimit më të ngushtë midis bizneseve dhe policisë, është ulur disi niveli i krimit këtë vit. Deri tani, janë regjistruar vetëm 12 grabitje, nga 24 vitin e kaluar. Sidoqoftë, tani për tani, vjedhja e salmonit është ende shumë fitimprurëse për mafiozët e fermave të peshkut në Kili.