Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut i nominuari për kryeministër të këtij shteti gjatë qeverisë teknike, Talat Xhaferi, ka thënë se pret që Kuvendi ta votojë për kryeministër dhe në këtë mënyrë të zbatohet marrëveshja mes partive politike që 100-ditëshi i fundit i qeverisjes para zgjedhjeve në vend t`i takojë faktorit politik shqiptar.
Në një intervistë për RTK-në, Xhaferi tha se me këtë është thyer tabuja e politikave etnike në Maqedoninë e Veriut dhe se është e mundur që shqiptarët një ditë ta kenë edhe postin e presidentit.
“Nën përkujdesje të faktorit ndërkombëtar është monitoruar marrëveshja e Prozhinos e cila u transformua në ndryshime ligjore dhe u sanksionua me ligjin për qeverinë e cila parasheh së që nga zgjedhjet e 2016 qofshin ato të parakohshme apo të rregullta, 100 ditë para zgjedhjeve duhet të ketë qeveri teknike. Pra besoj shumë që ky vendim të votohet në kuvend, sepse është vendim ligjor”, tha Xhaferi.
Sipas tij, kjo do të bëhet që të mund shkohet në zgjedhjet e rregullta.
Duke folur rreth mundësisë së kundërshtimit të partive të tjera në Maqedoninë e Veriut që të votohet, ai si kryeministër, Xhaferi thotë se nuk beson që do të dilet nga korniza ligjore, sepse zgjedhjet janë të rregullta.
“Shumica aktuale qeverisëse nuk ka problem me numrat kështu që besoj që edhe kjo do të kryhet. Në këtë kontekst nuk mund të bllokohet procesi dhe zbatimi i normave ligjore”, tha Xhaferi.
Ai tha se si kryeministër i qeverisë teknike, vizitën e parë do ta bëjë në Prishtinë dhe Tiranë.