Bota Talebanët do të financohen nga Kina

Talebanët do të financohen nga Kina

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid tha për mediat italiane se grupi do të financohet kryesisht nga Kina pas tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani.

Në një intervistën për “La Repubblica”, Mujahid tha se talebanët do të luftojnë për një stabilitet ekonomik me ndihmën e Kinës.

Talebanët morën kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit, Kabul, më 15 gusht ndërsa qeveria e mbështetur nga Perëndimi u shkri, duke i dhënë fund luftës 20-vjeçare mes frikës së një kolapsi ekonomik dhe urisë së përhapur.

“Kina është partneri ynë më i rëndësishëm”

Pas largimit kaotik të trupave të huaja nga aeroporti i Kabulit javët e fundit, shtetet perëndimore kanë kufizuar pagesat e tyre të ndihmës për Afganistanin.

“Kina është partneri ynë më i rëndësishëm dhe përfaqëson një mundësi themelore dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse është gati të investojë dhe rindërtojë vendin tonë”, tha zëdhënësi i talebanëve në intervistë.

Ai tha se “Rruga e Re e Mëndafshit” – një iniciativë infrastrukturore me të cilën Kina dëshiron të rrisë ndikimin e saj global duke hapur rrugë tregtare – ishte me rëndësi të lartë për talebanët.

Ka “miniera të pasura bakri në vend, të cilat, falë kinezëve, mund të vihen përsëri në punë dhe të modernizohen. Për më tepër, Kina është kalimi ynë në tregjet në të gjithë botën”.

Mujahid gjithashtu konfirmoi se gratë do të lejohen të vazhdojnë studimet në universitete në të ardhmen. Ai tha se gratë do të mund të punonin si infermiere, në polici ose si asistente në ministri, por përjashtoi mundësinë që të ketë ministre femra.

Afganistani ka dëshpërimisht nevojë për para dhe talebanët nuk ka gjasa të kenë qasje të shpejtë në asetet afërsisht 10 miliardë dollarë, të mbajtur kryesisht jashtë vendit nga banka qendrore afgane.

“Katastrofë humanitare” në Afganistan

Në fillim të kësaj jave, shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi për një “katastrofë humanitare” në Afganistan dhe u bëri thirrje vendeve të sigurojnë fonde emergjente pasi thatësira dhe lufta e rëndë kanë detyruar mijëra familje të largohen nga shtëpitë e tyre.

Guterres shprehu “shqetësimin e tij të madh për thellimin e krizës humanitare dhe ekonomike në vend”, duke shtuar se shërbimet bazë mund të shemben.

“Tani më shumë se kurrë, fëmijët, gratë dhe burrat afganë kanë nevojë për mbështetjen dhe solidaritetin e komunitetit ndërkombëtar”, tha ai në një deklaratë të martën ndërsa u lut për mbështetje financiare nga kombet.

“Unë i bëj thirrje të gjitha shteteve anëtare të gërmojnë thellë për njerëzit e Afganistanit të cilët janë në orën e tyre më të errët. Unë i nxis ata të sigurojnë fonde në kohë, fleksibël dhe gjithëpërfshirëse”, “tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

Zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric tha se thirrja aktuale humanitare e OKB-së për 1.3 miliardë dollarë për Afganistanin është vetëm 39% e financuar.