Talebanët nuk do të lejojnë zgjatje të misionit të evakuimit përtej 31 gushtit. Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden, përballet me trysni në rritje për të zgjatur operacionin me qëllim evakuimin e të gjithë qytetarëve që duan të largohen, Talebanët i japin ultimatum Shteteve të Bashkuara.
Zëdhënësi Suhail Shahin deklaroi se 31 gushti ishte një vijë e kuqe. “Presidenti Biden ka thënë se trupat do të largohen deri në këtë datë, dhe zgjatja e misionit nënkupton zgjatje të pushtimit të Afganistanit”, pohoi zyrtari taleban, i cili paralajmëroi për pasoja nëse kushtet do të ndryshonin. Kryeministri britanik Boris Johnson kishte menduar të shfrytëzonte mbajtjen e samitit të G7-tës të martën, për ti kërkuar presidentit Biden, qëndrimin e trupave amerikanë përtej fundit të muajit, për ti dhënë kohë evakuimeve nga Kabuli.
Pas 24 orëve relativisht të qeta rreth aeroportit, situata u ndez sërish të hënën. Ushtria gjermane tha se një pjesëtar i forcave të sigurisë afgane u vra gjatë të shtënave me armë në hyrjen veriore të aeroportit. Dinamika e ngjarjes nuk është ende e qartë, por siç thuhet në një deklaratë 3 afganë të tjerë ishin plagosur nga agresorë të paidentifikuar.