Talenti shqiptar i Bayern Munchen, Leon Dajaku, është rikthyer në Kosovë për pushimet e vitit të ri. Sulmuesi është i lidhur me vendin e tij, pavarësisht se luan për Gjermaninë. I riu mori dhuratën më të bukur para festave nga klubi gjerman, pasi debutoi në Bundesligë në ndeshjen kundër Wolfsburgut të fituar me rezultatin 2-0.
Ai u hodh në fushë në minutën e 90’+2′, por mjaftuan pak sekonda për të marrë kënaqësi të madhe. 18-vjeçari ka folur për KTV: “Ishte fantastike, askush nuk e kishte menduar që kaq shpejt do debutoja te Bayern. Nuk mund të tregoj dot as emocionet e përjetuara. Kemi fatin që janë disa lojtarë të dëmtuar dhe trajneri i ka qejf lojtarët e rinj. Pata fatin të luaja, në një stadium të madh, më të madh se i Stuttgart. Bayerni është i madh siç e thonë të gjithë dhe normalisht pata emocione”.
Dajaku ka treguar se nuk mund të refuzonte ofertën e Bayern Munchen. “Kam qenë të Shtutgart dhe kam luajtur dy ndeshje me ta si profesionit. Atje unë kisha familjen dhe ata më thanë se janë pas meje dhe mund të largohesha. Kur Bayern të thërret, nuk bën të mendohesh dy herë. Ai shans vjet vetëm një herë. Gnabry dhe Kimich, kur kanë dëgjuar se jam i Stuttgart, direkt më kanë afruar. Më kanë treguar çfarë duhet të bëj dhe më kanë këshilluar të jap maksimumin tim. Ka qenë mirë për mua, pasi ma kanë lehtësuar”.
Dajaku ka rrëfyer se një ndër lojtarët që ka më shumë miqësi është Thomas Muller. “Me Muller shkoj shumë mirë, jemi njëlloj. Kur bëhemi bashkë e kthejmë përmbys. Ai më thotë, avash se nuk jemi në Shqipëri. Bën shumë shaka. Më thotë, se nëse rri afër tij, do bëhem i madh. I them që po ishte ashtu, nuk e kam ndërmend të çohem”.